Një biznes privat në Peshkopi është kërcënuar me eksploziv, ndërsa autorët kanë kërkuar një shumë prej 50 milionë lekësh, duke paralajmëruar pronarin se në rast të kundërt objekti do të hidhej në erë.
Ngjarja është sinjalizuar në orët e pasdites, pas zbulimit të një mesazhi kërcënues dhe materialeve të dyshimta pranë biznesit. Për shkak të rrezikut të mundshëm, Policia ka rrethuar menjëherë zonën në dalje të qytetit të Peshkopisë dhe ka vendosur një perimetër sigurie.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe specialistë të çminimit dhe neutralizimit të lëndëve shpërthyese nga Tirana, të cilët kanë nisur verifikimin e materialeve të dyshimta dhe marrjen e masave për garantimin e sigurisë.
Për disa orë, zona është mbajtur nën kontroll nga forcat e Policisë, ndërsa subjektet pranë vendit të ngjarjes janë mbyllur përkohësisht. Edhe qarkullimi i automjeteve është devijuar për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për qytetarët.
Në kuadër të hetimeve, Policia ka shoqëruar disa persona dhe po punon për identifikimin e autorëve, zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e natyrës së materialeve të gjetura.
Hetimet vijojnë, ndërsa pritet edhe një njoftim zyrtar i Policisë së Shtetit për detaje të mëtejshme lidhur me ngjarjen.

