Durrësi kthehet në një galeri arti, çelet Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor

Published:

Durrësi është kthyer në një hapësirë të madhe të artit bashkëkohor me çeljen e edicionit të dytë të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor, një aktivitet që sjell në qytetin bregdetar artistë dhe vepra nga vende të ndryshme të botës.

Ceremonia e hapjes u zhvillua në ambientet e ish-Vilës së Zogut, duke shënuar nisjen e një edicioni që këtë vit vjen me temën “Periferia: Tranzicione pamore”. Përmes kësaj teme, Bienalja synon të sjellë në vëmendje hapësira, histori dhe identitete që shpesh mbeten jashtë fokusit, duke krijuar një dialog mes qendrës dhe periferisë.

Në këtë edicion marrin pjesë 45 artistë nga 34 vende të botës, të cilët prezantojnë piktura, skulptura dhe instalacione artistike. Veprat sjellin në Durrës perspektiva të ndryshme mbi kujtesën, identitetin, jetën urbane dhe transformimet shoqërore.

Kuratori i Bienales, Massimo Scarinella, e cilësoi praninë e artistëve nga kontinente të ndryshme si një element që i jep aktivitetit një dimension të gjerë ndërkombëtar.

Krahas hapësirave të përfshira në itinerarin e Bienales, këtë vit janë përfshirë edhe Galeria e Arteve, Muzeu Arkeologjik dhe Muzeu Etnografik, duke ndërthurur artin bashkëkohor me trashëgiminë historike dhe kulturore të Durrësit.

Të gjitha veprat do të qëndrojnë të ekspozuara deri më 31 tetor, duke e shndërruar qytetin për disa javë në një pikë takimi për artistë, artdashës dhe vizitorë.

Në përfundim të ceremonisë së hapjes u ndanë edhe çmimet e Bienales. Arkond Canaj u rendit në vendin e parë, ndërsa Krzysztof Gil në vendin e dytë dhe Eliza Hoxha në vendin e tretë. Çmimin e veçantë e morën Valbona Kapllani dhe Diego Masi, ndërsa Shpresa Beqiri u vlerësua me çmimin e karrierës.

Me këtë edicion, Durrësi synon të forcojë rolin e tij si një hapësirë ku arti bashkëkohor takohet me historinë, kulturën dhe identitetin e qytetit.

Më të fundit

spot_img

Ju Rekomandojmë

spot_img